– N. Ribar, Shtojca e “Marksist-Leninistit” –

Në numrin veror të këtij viti të buletinit Memoriali për Viktimat e Komunizmit të organizatës Tributë për Lirinë, botuar më 30 korrik, u publikua një artikull i shkurtër me titull “Komunizmi në Shqipëri: Një dëshmi e drejtpërdrejtë mbi një nga regjimet më të ashpra të historisë.” Ky artikull, që pretendohet se është shkruar nga dikush që është rritur në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, hedh mbi atë shoqëri një sërë stereotipesh distopike. Ndër të tjera, ajo përshkruhet si një shoqëri e mbushur me paranojë ndaj forcave të jashtme dhe me iluzionin e vetëmbështetjes, e sunduar nga “grushti i hekurt” i Enver Hoxhës, me një besnikëri obsesive ndaj “doktrinës marksiste-leniniste”, me ndalimin e praktikave fetare, një kult të individit, racione të vogla mujore dhe radhë të gjata e të acarta për bukë. Artikulli përfundon: “Komunizmi në Shqipëri nuk ishte thjesht një sistem politik — ishte një makth totalitar që e la popullin e vet të uritur, shkatërroi besimin e tij dhe ia rrëmbeu lirinë. Unë e kam jetuar. Nuk do ta harroj kurrë.” Me fjalë të tjera, paraqitet e njëjta tablo e zymtë që është pikturuar nga të arratisurit sovjetikë si Sollzhenicini dhe të tjerë.
Është e drejtë e kujtdo të shkruajë çfarë të dëshirojë për përvojat e veta jetësore, dhe edhe personi në fjalë e gëzon këtë të drejtë. Megjithatë, është e lehtë të bëhesh gjeneral pas betejës. Më e rëndësishme është të shtrohet pyetja pse organizata Tributë për Lirinë vendosi ta botonte këtë artikull pikërisht tani. Enver Hoxha vdiq në vitin 1985, pra 40 vjet më parë, në prillin e kaluar. RPS e Shqipërisë pushoi së ekzistuari në thelb në pranverën e vitit 1991 dhe zyrtarisht në vitin 1992 — përkatësisht 34 dhe 35 vjet më parë. Problemet e asaj kohe, në një mënyrë ose në një tjetër, janë zgjidhur prej kohësh — qoftë përfundimisht ose përkohësisht. Këto nuk janë çështje aktuale dhe sigurisht nuk lidhen me shqetësimet e Kanadasë në kohën e sotme.
Çfarë do ta shtynte dikë ta rikthente në vëmendje këtë histori të Shqipërisë? Çfarë fantazme e mendjes çon në një gjë të tillë? Mund të supozohet vetëm se synimi i botimit të një artikulli të tillë është të vendosë një njollë të zezë mbi një histori ku një e tillë nuk ka ekzistuar dhe të përdorë një vend e një popull të vogël si pjesë të ofensivës së përgjithshme të historiografisë anglo-amerikane kundër kujtdo që, në çfarëdo kohe, ka guxuar t’i kundërvihet asaj.
Unë nuk shkruaj për të mbrojtur të kaluarën, por për të treguar se çfarë mund të bëjë një komb i vogël kur është i bashkuar në një vullnet të vetëm, si dhe për të mbrojtur të drejtën e popujve për të ndjekur rrugën e tyre. Artikuj të tillë si ai i botuar në buletinin e Tributës për Lirinë nuk janë thjesht kritika ndaj shoqërive të dikurshme, por në të vërtetë përbëjnë sulme kundër çdo populli të vogël që vendos të ndjekë rrugën e vet, pavarësisht agresioneve të hidhura dhe të pandërprera imperialiste që synojnë ta detyrojnë të ecë në rrugën e anglo-amerikanëve.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në vitin e 80-të të Fitores së Madhe në Luftën Botërore Antifashiste, duke pasur parasysh se Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare e Shqipërisë dhe Qeveria Demokratike e ngritur në Përmet më 24 maj 1944, me Enver Hoxhën në krye, ishin aleatë të njohur të Koalicionit të Madh Antihitlerian dhe dhanë kontribute të jashtëzakonshme, shumë përtej mundësive të popullit të tyre, për mposhtjen e fashizmit hitlerian. Partizanët shqiptarë, të udhëhequr nga Komandanti i tyre Enver Hoxha, ishin e vetmja lëvizje në Evropën e pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore që e çliroi plotësisht territorin e vet pa ndihmën e asnjë ushtari të vetëm të Fuqive të Mëdha Aleate, më 29 nëntor 1944.

Pasi Shqipëria u çlirua, Enver Hoxha urdhëroi tri divizione të ushtrisë partizane shqiptare të kalonin në territorin jugosllav për të vazhduar luftën kundër pushtuesit nazifashist. Divizionet e 4-t, të 6-të dhe më pas i 24-ti partizan shqiptar çliruan pothuajse tërë Kosovën, pjesën më të madhe të Sanxhakut dhe pjesë të Malit të Zi, Serbisë Perëndimore dhe Bosnjës Lindore. Kjo përfshinte Podgoricën, kryeqytetin e Malit të Zi, si edhe qytetin heroik të Rudos, ku u formua Brigada e Parë Proletare Jugosllave më 21 dhjetor 1941. Në Sanxhak, një nënë nga qyteti i çliruar i Sjenicës citohet të ketë thënë: “Thuajuni nënave, grave dhe motrave të atyre shqiptarëve që dhanë jetën për çlirimin e Sanxhakut se dielli i maleve tona do ta ngrohë vendin ku ranë të dashurit e tyre, po aq sa dielli i maleve tuaja.”
Kudo që shkuan në Jugosllavi, partizanët shqiptarë vepruan me profesionalizmin më të lartë dhe me dinjitetin që i ka hije një populli dhe një ushtrie të nderuar. Në total, partizanët shqiptarë çliruan afërsisht 10 për qind të territorit të Jugosllavisë aleate. Qindra partizanë shqiptarë ranë në ndihmë vetëmohuese, vëllazërore dhe internacionaliste. Ky ishte një kontribut i jashtëzakonshëm jo vetëm për luftën e popujve jugosllavë, por edhe për mbarë Luftën Botërore Antifashiste.
Në anën tjetër, tradhtarët e popullit shqiptar, shumë prej të cilëve u arratisën në Perëndim dhe ushtruan ndikimin e tyre atje, pasardhësit e Partisë Fashiste Shqiptare, të organizatës bashkëpunëtore Balli Kombëtar dhe të Divizionit SS Skënderbeu, luftuan kundër Koalicionit të Madh Antihitlerian, kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare, kundër Qeverisë Demokratike dhe udhëheqësit të saj, Enver Hoxhës. Forca të tilla në Shqipëri luftuan si mercenarë të pushtuesve italianë dhe gjermanë, ndërsa në Jugosllavi u rreshtuan përkrah kasapëve ustashë dhe çetnikë, përgjegjës për qindra mijëra të vrarë.
Nga një popullsi prej rreth 1.125.000 banorësh në Shqipëri, pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë 28.800 njerëz, ose 2,48 për qind të popullsisë. Në përqindje, Shqipëria renditej e pesta për nga humbjet njerëzore ndër vendet e bllokut antifashist. Në shumë raste, këta kriminelë u arratisën në Perëndim, përfshirë Kanadanë, dhe ushtruan një ndikim të thellë mbi narrativën rreth vendeve që kishin braktisur.
Organizata Tributë për Lirinë sigurisht që mban gjurmët e këtij ndikimi. Vlen të përmendet në këtë drejtim se Mustafa Merlika-Kruja, kryeministër i qeverisë fashiste të pushtimit në Shqipëri, vdiq më 1958 në Ujëvarat e Niagarës, në shtetin e Nju Jorkut. Mithat Frashëri, udhëheqësi i organizatës bashkëpunëtore Balli Kombëtar, vdiq më 1949 në Qytetin e Nju Jorkut, ku drejtonte Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, me synimin për të minuar RPS të Shqipërisë. Kjo ndodhte megjithëse gjatë luftës Lëvizja Nacionalçlirimtare ishte vizituar nga emisarë të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe ishte njohur si e vetmja forcë legjitime që luftonte në anën e Koalicionit Antihitlerian.

Ishte falë Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare që më 1946, në Konferencën e Paqes në Paris, Enver Hoxha, duke përfaqësuar Shqipërinë, mundi të shpallte me krenari se, megjithëse në emër të shqiptarëve ishte ngritur një qeveri fashiste, populli shqiptar, që nga ditët e para të pushtimit italian në prill 1939, nuk e kishte ulur kurrë pushkën dhe ishte radhitur jo mes kombeve të mundura, por mes fitimtarëve. Nga ajo tribunë ai deklaroi:
“Populli shqiptar, besnik i traditave luftarake për liri e pavarësi dhe besnik gjer në fund ndaj çështjes aleate, që prej 7 prillit të vitit 1939 e gjer në ditën e fitores, nuk ju shmang asnjë sakrifice. Shqipëria dha pa kursim një kontribut të madh gjaku për çështjen e përbashkët: ajo e kish fituar me luftë të drejtën të marrë pjesë në këtë konferencë, me titull dhe me të drejta të njëjta me ato të njëzetenjë kombeve fitimtare.”
Falë këtij qëndrimi të vendosur, Shqipëria fitoi vërtet vendin e saj si një vend fitimtar. Ky ishte gjithashtu një mbrojtje e integritetit territorial të Shqipërisë kundër regjimit monarko-fashist bashkëpunëtor që erdhi në pushtet në Greqi me mbështetjen e anglo-amerikanëve dhe që ushqente pretendime ndaj Shqipërisë së Jugut, të cilën e quante “Vorio-Epir” — Greqia Veriore.
Kur në Jugosllavi erdhën në pushtet elementë armiqësorë që po përgatiteshin të shkëputeshin nga Bashkimi Sovjetik dhe kishin hartuar tashmë një politikë agresive ndaj Shqipërisë, me shpresën për ta aneksuar dhe për ta shndërruar në republikën e shtatë të Jugosllavisë në vitin 1948, madje kishin dërguar tashmë dy divizione në Shqipërinë e pavarur, ishte vigjilenca personale e Enver Hoxhës ajo që shpëtoi të drejtën e vendit për vetëvendosje. Në librin e tij me kujtime Titistët, ai pohon se i dërgoi një letër ministrit sovjetik të Punëve të Jashtme V. M. Molotov dhe Generalisimos Stalinit, duke i njoftuar për këtë agresion, gjë që shënoi fillimin e asaj që sot në historiografi njihet si përçarja Tito–Stalin. Dihet gjithashtu se pas këtyre ngjarjeve, kur Jugosllavia lidhi edhe më ngushtë marrëdhëniet me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të rrëzuar vendet e demokracisë popullore në Evropën Lindore, ajo strehoi ish-bashkëpunëtorë shqiptarë të nazistëve dhe i stërviti për të përmbysur qeverinë e Shqipërisë, përfshirë Gani Bej Kryeziun dhe Seit Bej Kryeziun, bashkëpunëtorë të Sigurimit Shtetëror Jugosllav (më i njohur si UDBA) dhe të shërbimeve perëndimore të zbulimit. Madje edhe në vitin 1959, Presidenti i Jugosllavisë Josip Broz Tito dhe Mbreti Pavli i Greqisë, në përputhje me këta elementë bashkëpunëtorë shqiptarë në Jugosllavi dhe në Perëndim, si edhe me ish-mbretin Ahmet Zogu, diskutuan personalisht ndarjen e Shqipërisë në dy pjesë — veriun për Jugosllavinë dhe jugun për Greqinë.
Periudha e Enver Hoxhës, përveç çlirimit të vendit dhe mbrojtjes së pavarësisë së tij përballë një rrethimi të gjithanshëm të sponsorizuar nga imperialistët anglo-amerikanë, u karakterizua edhe nga një numër i madh arritjesh në ndërtimin e vendit. Në vitin 1938, jetëgjatësia mesatare e një shqiptari ishte vetëm 38 vjeç, ndërsa në vitin 1985 ajo kishte arritur në 71 vjeç. Sipas Vjetarit Statistikor të vitit 1991, botuar nga qeveria e re antikomuniste e Shqipërisë e drejtuar nga Sali Berisha, në vitet 1979–1980 shqiptari mesatar konsumonte 3.019 kalori në ditë, disi më pak se Holanda me 3.310, por më shumë se Spanja me 3.049 dhe Japonia me 2.807. Sipas të njëjtit vjetar antikomunist, në vitin 1970 shqiptarët konsumonin mesatarisht 87 gramë proteina në ditë, ndërsa në vitin 1984 kjo shifër kishte arritur në 94 gramë. Për krahasim, Mbretëria e Bashkuar arrinte në 89,98 gramë në vitin 1984, ndërsa Danimarka në 86,72 gramë po atë vit. Nga kjo rezulton se, mesatarisht, shqiptarët ushqeheshin më mirë se qytetarët e vendeve perëndimore. Dhe kjo pavarësisht faktit se 75 për qind e territorit të Shqipërisë është malor dhe i vështirë për t’u punuar. Më 25 tetor 1970, Shqipëria u bë vendi i parë në botë që furnizoi me energji elektrike të gjithë popullsinë e saj, deri te çdo burrë, grua dhe fëmijë. Më 29 prill 1967, ajo u bë vendi i parë në botë që shfuqizoi taksat dhe tatimet e drejtpërdrejta mbi popullsinë. Në vitin 1976, Shqipëria arriti vetëfurnizimin e plotë me bukë për të përmbushur të gjitha nevojat e konsumit të popullsisë, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë urisë.
Në RPS të Shqipërisë nuk ekzistonin as papunësia, as borxhi, as taksat apo tatimet, as varësia nga droga dhe as inflacioni. Diskriminimi, shtypja dhe shfrytëzimi i njeriut nga njeriu po eliminoheshin. Brenda kufijve të saj, dhuna ishte një dukuri e panjohur, ndërsa jashtë tyre ajo nuk u përfshi kurrë në provokime kundër kombeve të tjera. Në Shqipëri ekzistonin pushteti popullor, industria moderne, një ekonomi vërtet e mbështetur në forcat e veta, vetëfurnizimi me produkte ushqimore, bujqësia e mekanizuar, shëndetësia moderne dhe falas, vendi i nderit për gruan, edukimi pozitiv i rinisë, folklori dhe kultura në lulëzim, zhvillimi i fushave shkencore, studimet albanologjike kombëtare dhe shumë arritje të tjera.
Çështja e fesë, e cila përmendet në artikull, lë jashtë përvojën historike të vetë popullit shqiptar, jo vetëm gjatë socializmit, por edhe në lëvizjet demokratike për pavarësi nga Perandoria Osmane. Gjatë shekujve, ortodoksia, katolicizmi dhe islami iu imponuan popullit shqiptar si pjesë e përpjekjeve të Fuqive të Mëdha të ndryshme për ta përçarë popullsinë mbi baza fetare dhe për të fituar një pikëmbështetje në këtë vend me rëndësi strategjike, në ngushticën e Otrantos dhe në Detin Adriatik. Rilindja Kombëtare Shqiptare e fundit të shekullit XIX, gjatë formimit të kombit modern, i shpalli këto dallime anakronike dhe, qysh më 1878, patrioti shqiptar Pashko Vasa shkroi në poezinë e tij O moj Shqypni e mjera Shqypni parullën e famshme që u përdor edhe në kohën e Enver Hoxhës: Feja e shqyptarit asht shqyptarija!
Kushdo mund ta kuptojë se kjo ishte thjesht logjikë moderne. Vendimi i popullit shqiptar në vitin 1967 për të mbyllur institucionet fetare nuk buronte nga një ideologji e verbër, por nga ky mendim patriotik dhe modern. Shkëndija që çoi në këtë vendim nuk u ndez nga Enver Hoxha apo Partia e Punës e Shqipërisë, por nga nxënësit e shkollës “Naim Frashëri” në Durrës. Këta ishin të rinj të lodhur nga paragjykimet fetare dhe bestytnitë që rëndonin mbi ta ndërsa po ndërtonin jetën e re dhe dolën në protestë. Në veçanti, ata u shtynë nga fakti se shihnin gruan shqiptare të mbajtur në zinxhirë përmes detyrimeve fetare dhe normave të Kanunit të Lekë Dukagjinit, një përmbledhje e së drejtës zakonore që, ndër të tjera, përcaktonte: “Burri ka të drejtë me e rrah gruen, me e lidh gruen kur ia përbuz fjalën dhe urdhnin… Kurse baba ka të drejtë me rrah, me lidh, me burgos e me vra të birin dhe të bijën… Grueja e ka për detyrë ndaj burrit me i ndej nën sundim… Gjaku i grues ban 1500 grosh.” Megjithëse populli ishte prej shekujsh larg zbatimit të plotë të këtyre rregullave, mendësia themelore ndaj gruas mbetej ende. Një flakë, e ndezur në Durrës, u përhap me shpejtësi në të gjithë vendin dhe vetëm më pas, nëntë vjet më vonë, në vitin 1976, kjo u sanksionua zyrtarisht në Kushtetutë.
Duhet theksuar gjithashtu se Kisha Katolike, për shkak të veprimtarisë së saj gjatë pushtimit fashist dhe rolit të saj si agjenci spiunazhi e Perëndimit, u ndalua menjëherë pas luftës.
Kishte edhe shumë arritje të tjera që nuk mund t’i atribuohen një ideologjie të verbër. Nga 20 deri më 25 nëntor 1972, me propozimin e Enver Hoxhës, gjuhëtarë shqiptarë si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova zhvilluan në Tiranë Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjuha shqipe u standardizua mbi bazën e dy dialekteve kryesore, gegërishtes veriore dhe toskërishtes jugore. Ishte hera e parë që kjo realizohej në historinë e gjatë të popullit shqiptar. Ky përbënte një hap të madh në rrugën e ndërtimit të një kombi shqiptar të vetëm e të bashkuar, sipas vizionit të vet shqiptarëve dhe jo, si sot, kur Shtetet e Bashkuara imponojnë se çfarë lloj kombi duhet të kenë shqiptarët. Përpara kësaj reforme, këto dy dialekte shkruheshin shumë më të dallueshme nga njëri-tjetri sesa dialektet e serbokroatishtes fqinje, të cilat sot konsiderohen gjuhë më vete.
Edhe në çështjet etnohistorike nuk mund të gjendet ndonjë përkushtim i verbër ndaj ideologjisë. Duke u mbështetur në studime të gjera shkencore, albanologët e kohës së Enver Hoxhës vërtetuan se shqiptarët rrjedhin nga populli i lashtë ilir dhe janë autoktonë në trojet që banojnë. Vetë emri “Shqipëri” (Albania) trashëgohet nga fisi ilir i Albanoëve (Albanoi), i vendosur pranë Durrësit. Vazhdimësia ndërmjet emrave ilirë dhe atyre të Shqipërisë së sotme shihet në qytetet Shkodër (Scodra), Lezhë (Lissus) dhe Durrës (Dyrrhachium), si edhe në lumenjtë Drin (Drinus) dhe Mat (Mathis). Ndikimi i qëndrueshëm ilir mund të vërehet në të gjithë Gadishullin Ballkanik, përfshirë qytetin e Duvnos në Bosnjë dhe Hercegovinë, emri i të cilit rrjedh nga qyteti ilir Delminium, i ndodhur afërsisht në të njëjtin vend. Sot, pasardhësit e këtyre ilirëve jetojnë në Delvinë, në Shqipërinë e Jugut, një emër tjetër i prejardhur nga e njëjta rrënjë.
Enver Hoxhës iu akorduan personalisht dekorata, nderime dhe vlerësime të shumta nga të gjithë Aleatët dhe Fuqitë e Mëdha, madje edhe dekada pas luftës. Nga Jugosllavia ai mori Urdhrin e Heroit të Popullit, nga Bullgaria Urdhrin e Trimërisë, ndërsa nga Bashkimi Sovjetik Urdhrin e Leninit dhe nderimin e lartë Urdhrin e Suvorovit të Klasit të Parë, i destinuar vetëm për drejtuesit më të shquar ushtarakë, në rastin e tij për udhëheqjen e partizanëve shqiptarë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Xhimi Karteri, Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, u shpreh: “Mos e nënvlerësoni zotin Enver Hoxha, se ai është një kokë e madhe në fushën e diplomacisë!” Ish-Sekretari amerikan i Shtetit Henri Kisingeri u detyrua ta vlerësonte me këto fjalë: “Një nga udhëheqësit më të bukur të botës, i cili ka kryesuar çdo tryezë bisedimesh, pavarësisht se kush ka qenë ulur në atë tryezë!” Xhou Enlaj, ish-Kryeministër i Kinës, citohet të ketë thënë: “I vetmi udhëheqës partie, mendimit dhe gjykimit të të cilit nuk i bëra ballë asnjëherë, është Enver Hoxha!” Presidenti francez Sharl dë Goli deklaroi: “Askush më tepër se Enver Hoxha nuk e meriton thënien ‘Lavdia shkon tek ai që nuk e kërkon atë.’” Ndërsa Andreas Papandreu, ish-Kryeministër i Greqisë, në ceremoninë mortore të Enver Hoxhës tha: “Një popull mund ta bësh të duartrokasë me dhunë udhëheqësin e vet, por nuk mund ta bësh të qajë për të!”
Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, RPS e Shqipërisë ishte një shtet anëtar i respektuar, i njohur në mbarë botën për qëndrimet e saj fisnike, veçanërisht në mbështetje të popullit heroik palestinez dhe të popujve arabë kundër manovrave sioniste izraelite — një kauzë e afërt me zemrën e gjithë njerëzimit përparimtar. Ishte me nismën dhe këmbënguljen e vazhdueshme të RPS të Shqipërisë që Republika Popullore e Kinës u pranua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara më 25 janar 1971 për të zënë vendin që i takonte me të drejtë, vend që pas Luftës së Dytë Botërore i ishte dhënë padrejtësisht Formozës (Tajvanit).
Larg figurës së një maniaku të izoluar, siç përpiqet ta paraqesë autori i artikullit maniakal të Tributës për Lirinë, Enver Hoxha gëzonte respekt si nga miqtë ashtu edhe nga kundërshtarët në mbarë botën, si një burrë shteti serioz dhe revolucionar, i përkushtuar me vendosmëri ndaj vendit dhe bindjeve të tij.
Përballë gjithë këtij bilanci historik, Tributa për Lirinë duhet të shpjegojë: çfarë dënoni ju në këto fakte? Shqipërinë si një vend aleat dhe fitimtar në luftën kundër Hitlerit? Shqipërinë që mbrojti sovranitetin e saj në kushtet e një rrethimi të gjithanshëm? Shqipërinë që ushqeu popullin e vet? Shqipërinë që i dha fund prapambetjes? Shqipërinë si ndërtuese të kombit? Shqipërinë që respektohej si nga miqtë, ashtu edhe nga kundërshtarët në botë? Çfarë përfitimi kanë kanadezët nga rrëfime të tilla për RPS të Shqipërisë, e cila pushoi së ekzistuari tre dekada e gjysmë më parë?
Sot, Shqipëria është një neokoloni e Bashkimit Evropian dhe e Shteteve të Bashkuara. Qytetet e saj të bukura bregdetare janë shndërruar në baza ushtarake amerikane. Populli i saj mbahet peng nga grabitqarë që po shqyejnë shoqërinë dhe ekonominë. Shkatërrimi i industrisë moderne dhe i bujqësisë së mekanizuar ishte detyra e parë e qeverisë proamerikane që erdhi në pushtet në vitin 1992. Që prej asaj kohe, gjysma e popullsisë është larguar nga vendi, ndërsa sondazhet tregojnë se edhe gjysma tjetër dëshiron të emigrojë. Zakonet feudale shoqërore, si Kanuni i Lekë Dukagjinit i përmendur më sipër, i cili legjitimon nënshtrimin e gruas ndaj burrit dhe gjakmarrjen arkaike, janë ringjallur gjatë këtyre 35 viteve të së ashtuquajturës demokraci.
Në këtë dritë, agjencia gjermane e lajmeve DW raportoi së fundmi për një burrë, djali i të cilit kishte kryer një vrasje dhe i cili nuk mund të largohej nga shtëpia, sepse Kanuni i jep familjes së viktimës të drejtën të vrasë babanë e vrasësit.
Kjo “demokraci” e ka zhytur Shqipërinë në poshtërim, në ditët më të errëta të historisë së saj, të panjohura madje edhe gjatë pesë shekujve të pushtimit osman. Kjo është Shqipëria që zotërinjtë euroatlantikë e kanë blerë tërësisht, pa lënë asgjë jashtë. Por historia e di se është e vështirë të mbahet gjatë nënshtruar një popull që ka nxjerrë heronj si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Naim Frashëri, Ismail Qemali dhe Enver Hoxha, me trashëgiminë e tyre të gjatë e të lavdishme të luftës fitimtare kundër imperialistëve të çdo ngjyre e forme.
Për ta përsëritur, secili ka të drejtë të shkruajë për përvojat e veta, por edhe popujt e botës kanë të drejtë t’i kundërvihen imperializmit dhe të ndërtojnë një komb e një shoqëri sipas vullnetit të tyre. Shqiptarët në periudhën kur Enver Hoxha ishte gjallë ishin si çdo popull tjetër që dëshiron të jetojë në dritë dhe begati sipas kushteve të veta. Ata kishin gjithçka të nevojshme për ta arritur këtë, veçanërisht falë heroizmit të tyre të dëshmuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe vërtet e arritën me rezultate të jashtëzakonshme. Përvoja e popullit shqiptar, me Partinë e Punës të Shqipërisë dhe Enver Hoxhën në krye, mbetet një burim frymëzimi edhe për ditët tona. Popujt e botës do të vazhdojnë të luftojnë në të njëjtën mënyrë, pavarësisht çfarë fantazmash trillohen për të kaluarën e shqiptarëve apo të çdo populli tjetër.
“Marksist-Leninisti” është organi i Partisë Komuniste të Kanadasë (Marksiste-Leniniste).
(Përkthyer nga Shtojca e “Marksist-Leninistit”, Vëll. 55, Nr. 29, 23 gusht 2025.)
